Syla: Qeverisja e Kurtit, fatkeqësi kombëtare – Kosova s’mund të injorojë rolin e SHBA-së
Gazetari dhe diplomati Donat Syla ka reaguar ashpër ndaj qasjes së kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ai e ka cilësuar “fatkeqësi kombëtare” faktin që Kosova drejtohet nga një person, që sipas tij, është narcisoid dhe injoron rolin vendimtar të SHBA-ve në shtetformimin e Kosovës dhe garantimin e sovranitetit të saj.
“Kosova dhe institucionet e saj nuk e kanë as kapacitetin e as komoditetin që të përcaktohen për politika që nuk janë kompatibile me interesat e SHBA-ve në Ballkanin Perëndimor,” ka theksuar Syla.
Ai ka shtuar se është në interesin kombëtar të Kosovës dhe shqiptarëve që Serbia të orientohet drejt Perëndimit duke theksuar se vetëm nën ombrellën amerikane Kosova mund ta fuqizojë rolin e saj si shtet.
“Çfarëdo propagande që synon të diversifikojë interesat amerikane nga ato të shqiptarëve është thjesht shërbim në favor të armiqve tanë. SHBA e ka dëshmuar që në krye të herës duke suportuar kauzën tonë për liri dhe pavarësi, dhe të gjitha rezultatet politike tona deri para ardhjes së Kurtit në pushtet janë rezultat i këtij bashkëpunimi me SHBA,” ka deklaruar Syla.
Ai e konsideroi të domosdoshme një bashkim të ish-opozitës për të larguar Kurtin nga pushteti. “Është urgjencë kombëtare që ish-opozita, përtej dallimeve, të bashkohet dhe ta largojë nga pushteti Albin Kurtin,” ka përfunduar Syla. /Kosova.info/
