Peci: Fotot në New York janë fotomorgana, Kosova po ecën prapa me politika vetë-izoluese
Analisti politik, Lulzim Peci, ka kritikuar qasjen aktuale të institucioneve të Kosovës në raport me partnerët ndërkombëtarë duke e krahasuar atë me shembullin e Malit të Zi nën udhëheqjen e Milo Gjukanoviqit.
Peci kujtoi se Gjukanoviqi, pavarësisht se nuk fliste anglisht, arriti të ndajë Malin e Zi nga Serbia dhe ta sigurojë anëtarësimin e tij në NATO. Ndërkohë, sipas tij, njohja e gjuhës angleze nga përfaqësuesit e tanishëm të Kosovës nuk po sjell rezultate, pasi politika aktuale është populiste dhe vetë-izoluese.
“Përkundër sanksioneve dhe masave ndëshkuese, Kosova ende i ka dyert e hapura në Perëndim, nëse dëshiron të ketë bashkëpunim dhe partneritet me SHBA-të dhe shumicën absolute të vendeve të Evropës. Nëse jo, është zgjedhja jonë, por kur të jemi në vështirësi, nuk kemi pse ta kërkojmë ndihmën e Perëndimit”, theksoi ai.
Peci shtoi se përfaqësuesit shtetërorë të Kosovës nuk kanë pasur asnjë takim zyrtar bilateral me administratën amerikane gjatë vizitës së fundit në New York duke e cilësuar këtë situatë si “fotomorgana e fotografive”.
Ai paralajmëroi gjithashtu se shtrirja e rendit dhe ligjit në veri të vendit nuk do të ketë kuptim nëse nuk respektohet njësoj edhe në Prishtinë. “Nëse dikush mendon se kjo nuk ka implikime, e ka shumë gabim”, përfundoi Peci. /Kosova.info/
