Së paku 14 të vdekur nga super-tajfuni “Ragasa” në Tajvan, priten pasoja edhe në Hong Kong

Dalja nga shtrati e një liqeni pengues në Tajvan ka lënë të vdekur të paktën 14 njerëz dhe 124 të tjerë janë zhdukur, pasi super-tajfuni “Ragasa” e goditi ishullin me shi të dendur dhe shkaktoi dëme të gjera në disa pjesë të Azisë Lindore.

Pasojat e super-tajfunit “Ragasa” kanë qenë duke u ndier në Tajvan nga e hëna, përderisa stuhia po e vazhdon rrugën e saj drejt bregdetit jugor të Kinës, shkruan gazeta “The Guardian”.

“Deri në orën 7 të mëngjesit, 14 njerëz janë konfirmuar të vdekur dhe 18 janë raportuar të lënduar” – tha Lee Kuan-ting, zyrtar për shtyp në distriktin Hualien.

“Tridhjetë të zhdukur ishte numri mbrëmë, i publikuar nga Agjencia Kombëtare e Zjarreve, dhe ekipet tona janë ende duke kërkuar” – shtoi ai.

Zjarrfikësit e Tajvanit thanë të mërkurën se të paktën 124 njerëz mbeten të zhdukur në distriktin Hualien.

Stuhia tashmë ka shkaktuar rrëzim të drurëve, heqje të kulmeve të ndërtesave dhe ka lënë të paktën dy viktima në pjesën veriore të Filipineve, ku mijëra njerëz kërkuan strehë në shkolla dhe qendra të evakuimit.

Hong Kongu dhe disa pjesë të Kinës Jugore ishin në gjendje të vigjilencës së lartë të mërkurën, përderisa “Ragasa” po afrohej me erë të fuqishme e shi, duke i detyruar autoritetet kineze që të mbyllnin shkolla e biznese në të paktën dhjetë qytete.

Go to TOP