Gjelbërimi dhe hapësirat publike në Prishtinë, Uran Ismaili prezanton parqet e reja jo më larg se 300 metra për secilën lagje

Kandidati për kryetar të Prishtinës, Uran Ismaili, ka prezantuar sot planin e tij për krijimin e hapësirave të reja të gjelbra dhe publike në kryeqytet, duke premtuar se çdo lagje do të ketë park ose kënd lojërash jo më larg se 300 metra nga shtëpitë e banorëve, shkruan Kosova.info.

Në konferencën e mbajtur për media, Ismaili tha se për vite me radhë ndërtimi i pakontrolluar në Prishtinë ka lënë pas dore qytetarët, duke i privuar ata nga hapësirat publike dhe gjelbërimi.

“Mijëra banorë janë shtuar, ndërsa hapësirat e gjelbra janë tkurrur vit pas viti. Familjet tona janë përjashtuar nga rrugët, nga sheshet dhe nga hapësirat. Jeta e tyre është kthyer brenda katër mureve të banesave të tyre. Kjo nuk është drejtësi,” deklaroi ai.

Ismaili premtoi se pas zgjedhjeve të 12 tetorit, do të vendosë një standard të ri urban për kryeqytetin: secila lagje të ketë park, kënd lojërash ose hapësirë të gjelbër brenda distancës prej më së largu 300 metrash.

“Ky është standardi që do të kthejë baraspeshën mes ndërtimeve dhe jetës së qytetarëve. Prishtina ka nevojë për frymëmarrje të re dhe kjo fillon nga hapësirat e përbashkëta të gjelbërta dhe komunitare. Nuk do të kemi më Prishtinë të betonit, por Prishtinë të njerëzve,” u shpreh ai.

Në planin e tij parashihen:

  • Parqe të reja në Dardani, Ulpianë dhe Bregun e Diellit, mbi parkingjet nëntokësore që do të ndërtohen gjatë mandatit;
  • Dy parqe të rejaKodrën e Trimave;
  • Parku Jugor i PrishtinësKalabri, me sipërfaqe 12 hektarësh;
  • Hapësira të reja të gjelbra në Bardhosh dhe Hajvali.

Në këtë konferencë foli edhe kandidatja për Asamble, Jeta Kalaveshi, e cila ndau përvojën e saj personale si nënë.

“Në lagjen ku jetoj nuk ka park, nuk ka hapësira të gjelbra ku fëmijët e mi mund të luajnë. Shpesh përfundojmë në qendra tregtare, sepse aty gjejmë hapësirë. Kjo nuk është e drejtë. Fëmijët tanë nuk duhet të varen nga një udhëtim me veturë për të pasur një vend ku të luajnë,” tha ajo./Kosova.info/

Go to TOP