Kryeziu: Kandidatët për këshilltarë, të reduktuar në numra në listë
Në prag të zgjedhjeve lokale, analisti dhe njohësi i proceseve zgjedhore, Ismet Kryeziu, ka ngritur shqetësimin se kandidatët për këshilltarë komunal mbeten të margjinalizuar në garën politike duke u reduktuar thjesht në “numra në listë”.
Sipas tij, fokusi kryesor i fushatave politike në nivel lokal mbetet te kandidatët për kryetar komune dhe te liderët partiakë, ndërsa këshilltarët futen në garë me hapësirë dhe mundësi shumë të kufizuara për t’u prezantuar.
Kryeziu thekson disa arsye që e bëjnë këtë garë të pabarabartë: dominimi mediatik i kandidatëve për kryetarë, struktura e fushatës e ndërtuar rreth figurës së tyre, shpërndarja e fondeve që favorizon kandidatët kryesorë, mungesa e njohjes publike për këshilltarët, si dhe orientimi i votuesve që zakonisht mbështeten në logon e partisë ose emrin e kryetarit.
“Shumë kandidatë për këshilltarë, sidomos ata që hyjnë për herë të parë në garë, mbeten pa mundësi reale për të prezantuar vizionin e tyre, ekspertizën profesionale apo idetë për zhvillimin e komunës. Kjo e bën garën lokale të pabarabartë dhe e zvogëlon peshën e këshilltarëve në jetën politike lokale”, thekson Kryeziu.
Ky vlerësim nxjerr në pah rolin shpesh të nënvlerësuar të këshilltarëve komunalë, të cilët ndonëse janë pjesë vendimmarrëse në qeverisjen lokale, rrallëherë arrijnë të prezantohen si individë me ide dhe programe konkrete për komunitetin. /Kosova.info/
