Uruqi: Ndryshimi fillon nga arsimi

Iliriana Uruqi, kandidate për Asamblenë Komunale të Gjilanit nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje me numrin 36, vjen nga fusha e arsimit me mbi 12 vite përvojë në edukimin e brezave të rinj. Ajo ka përfunduar studimet Bachelor dhe Master në Gjuhë Shqipe në Fakultetin e Filologjisë të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, ndërsa aktualisht punon si mësimdhënëse në shkollën “Musa Zajmi” në Gjilan.

Përtej profesionit si profesoreshë, Iliriana është një aktiviste e përkushtuar e Vetëvendosjes. Duke mbështetur vizionin e kryetarit Alban Hyseni, ajo thekson se ndryshimi i madh nis nga niveli lokal dhe se zëri i qytetarëve duhet të jetë pjesë e çdo vendimmarrjeje.

E njohur për ndershmërinë dhe përkushtimin e saj, Uruqi e sheh arsimin si themel të një shoqërie të shëndoshë dhe prioritetin kryesor që hap rrugën drejt zhvillimit të drejtë për qytetin. Si pjesë e Asamblesë, ajo angazhohet të jetë zëri i mësuesve, prindërve, nxënësve dhe qytetarëve që kërkojnë transparencë, barazi dhe drejtësi.

“Me vizionin dhe përvojën time dua të kontribuoj për një Gjilan më të zhvilluar, më të barabartë dhe me arsim cilësor, sepse e ardhmja ndërtohet sot”, ka deklaruar kandidatja e Vetëvendosjes, Iliriana Uruqi. /Kosova.info/


Go to TOP