Gjinovci: Mbrojtja e Thaçit duhej të ishte si e Albin Kurtit në Nish më 2000
Aktivisti Rron Gjinovci ka reaguar lidhur me mënyrën se si po mbrohen Hashim Thaçi dhe ish-udhëheqësit e tjerë të UÇK-së në Gjykatën Speciale. Ai tha se mbrojtja e tyre duhej të ishte e ngjashme me atë të Albin Kurti më 9 mars 2000, në Gjykatën e Qarkut në Nish të Serbisë.
Kurti në atë kohë kishte deklaruar se ishte Sekretar i Përfaqësuesit të Përgjithshëm Politik të UÇK-së, Adem Demaçit, dhe se angazhimi i tij ishte në përfaqësimin e politikës së UÇK-së dhe luftës çlirimtare. Ai kishte theksuar se lufta e UÇK-së ishte e drejtë, gjithpopullore dhe kishte për synim çlirimin e Kosovës nga pushtimi serb dhe realizimin e pavarësisë së saj.
Në sallën e gjyqit, Kurti kishte refuzuar të njihte autoritetin e gjykatës duke e konsideruar atë si vegël të politikës fashiste të Sllobodan Millosheviqit. “Ky gjyq nuk ka asgjë të përbashkët me të vërtetën dhe drejtësinë. Unë përgjigjem vetëm para gjyqit të popullit tim. Nuk ka rëndësi sa vite do të më dënoni, 10, 20 apo 50, për mua ky dënim nuk ka asnjë vlerë,” kishte deklaruar ai.
Gjinovci e solli këtë shembull si ilustrim të asaj që sipas tij do të duhej të ishte qasja e drejtë për të mbrojtur Thaçin dhe të tjerët në proceset aktuale gjyqësore në Hagë. /Kosova.info/
