AKB: Qeveria po rrezikon partneritetin me SHBA-në, Kosova nuk mund të përballojë humbjen e këtij mbështetësi strategjik

Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB) ka reaguar me shqetësim të thellë pas vendimit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të pezulluar Dialogun Strategjik me Kosovën duke e cilësuar këtë si një sinjal tepër negativ për të ardhmen e marrëdhënieve ekonomike, politike dhe diplomatike të vendit.

Në reagimin e saj, AKB thekson se ky zhvillim është pasojë direkte e “qasjes së papërgjegjshme dhe veprimeve të pamatura të Qeverisë së Përkohshme”, të cilat sipas saj kanë rritur tensionet, kanë shkaktuar paqëndrueshmëri dhe kanë dëmtuar rëndë imazhin e Kosovës si partner serioz ndërkombëtar.

“Vendime të tilla jo vetëm që izolojnë Kosovën politikisht, por godasin edhe drejtpërdrejt ekonominë duke rritur pasigurinë për investitorët dhe duke penguar zhvillimin e bizneseve vendore”, thuhet në reagimin e AKB-së.

Sipas Aleancës, pezullimi i Dialogut Strategjik përbën humbje të madhe për Kosovën, pasi ky proces ofronte mundësi të rëndësishme për investime, tregti dhe mbështetje për zhvillimin ekonomik të vendit. Në vend që të forcohen raportet me SHBA-në, thekson AKB, veprimet e qeverisë kanë sjellë dobësim dhe mbyllje të dyerve.

AKB i bën thirrje Qeverisë së Përkohshme të ndalojë menjëherë retorikën dhe veprimet që po largojnë partnerët strategjikë duke kërkuar më shumë maturi politike dhe përgjegjësi shtetërore.

“Kosova nuk mund të lejojë luksin të humbasë mbështetjen dhe partneritetin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, thekson AKB duke shtuar se organizata do të vazhdojë të mbrojë interesat e bizneseve dhe qytetarëve të vendit.

Në fund, AKB kërkon nga institucionet e Kosovës që të rikthejnë sa më shpejt besimin dhe bashkëpunimin me SHBA-në, të cilin e konsideron si garanci kryesore për zhvillim ekonomik dhe stabilitet politik. /Kosova.info/

Go to TOP