Deda: Kosova po rrëshqet drejt izolimit, suspendimi i dialogut me SHBA-në vetëm masa e parë ndëshkuese

Ish-deputeti dhe analisti politik, Ilir Deda, ka reaguar ashpër pas suspendimit të Dialogut Strategjik ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës duke e cilësuar këtë si masën e parë ndëshkuese, ndërsa paralajmëroi se mund të pasojnë edhe të tjera nëse Kosova vazhdon me vetë-dëmtim politik.

Sipas Dedës, Kosova tashmë po gjen veten në një “klub me vendet jashtë orbitës së Perëndimit” duke rrezikuar të përfundojë në izolim dhe varfëri, krahasuar me shtete si Gjeorgjia, Rusia, Bjellorusia dhe Republika Serbe në Bosnje.

Ai kritikoi edhe Presidenten e Kosovës duke thënë se do të duhej të thërriste partitë politike për diskutime serioze mbi daljen nga kjo gjendje dhe për mbrojtjen e “aleancës së shenjtë” me SHBA-në, por që sipas tij kjo nuk ndodh për të mos u detyruar të marrë pozicion politik të qartë.

“Politikës së Kosovës i duhet një prerje sa më e qartë. E nëse populli do izolim, varfëri, urrejtje e pjesëmarrje në klub me Gjeorgjinë, Rusinë, Bjellorusinë e Republikën Serbe të Bosnjës – urdhëroni e dërgonani në humnerë”, tha Deda. /Kosova.info/


Go to TOP