Arifi pas pezullimit të Dialogut Strategjik: Mund të luash me Kosovën, por jo me SHBA-të
Shqiprim Arifi, ish-kryetar i Komunës së Preshevës, ka reaguar pas vendimit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të pezulluar Dialogun Strategjik me Kosovën duke e cilësuar këtë si një zhvillim të rëndë për vendin.
Në një reagim publik, Arifi tha se Kosova nuk duhet të rrezikojë marrëdhëniet me aleatin e saj më të madh historik duke paralajmëruar se ky vendim i SHBA-ve përbën sinjal alarmues për të ardhmen e vendit.
“Mund të luash me Luginën e Preshevës, me Maqedoninë e Veriut, madje edhe me vet Kosovën e popullin e saj, por JO me SHBA-të!”, u shpreh Arifi.
Ai shtoi me ironi se pas këtij zhvillimi, qeveria i ka dhënë një “surprizë politike” popullit të Kosovës dhe se tani në menynë e ditës mund të shtohet edhe “Çorba e Krizës”.
Sipas Arifit, ky moment kërkon përgjegjësi të lartë nga institucionet e Kosovës për të riforcuar menjëherë koordinimin me partnerët amerikanë dhe për të shmangur pasoja më të mëdha politike dhe ekonomike. /Kosova.info/
