Krasniqi: Presidentja po përdor aparatin shtetëror për t’u hakmarrë ndaj gazetarëve

Gazetari Besnik Krasniqi ka reaguar pas arrestimit të një kameramani që xhironte vajzat e Presidentes së Kosovës teksa po shkonin në një shkollë private. Ai e ka cilësuar këtë rast si shembull të qartë të abuzimit me resurset shtetërore dhe përndjekjes së gazetarëve.

“S’ka privatësi në xhipat e zi! Presidentja dhe bashkëshorti i saj prej kohësh e kanë shpërfaqë tërpinë e pafundme në raport me asetet e shtetit. Po e japin shembullin më të keq të abuzimit, jo vetëm në raport me resurset shtetërore, por edhe duke përdorë aparatin shtetëror për t’u hakmarrë ndaj atyre që e ekspozojnë këtë tërpi,” ka shkruar Krasniqi.

Ai kujtoi rastin e sotëm, kur një kameraman u arrestua për shkak të xhirimeve duke thënë se përndjekja e tillë nuk bëhet për mbrojtjen e fëmijëve, por për të shmangur dëmtimin e imazhit politik të Presidentes.

Krasniqi rikujtoi gjithashtu edhe një proces prokurimi të sivjetshëm për ndërtesën e re të Presidencës, ku sipas tij u kërkua të përfshiheshin suita gjumi, dhoma private për familjen, si dhe sallone e kopshte private.

“Sot ajo përndjek ata që ia ekspozojnë tërpinë, sepse këtë ekspozim e sheh kërcënim për imazhin e vet politik, e jo për vajzat,” përfundoi gazetari. /Kosova.info/


Go to TOP