Lirohet kamermani Jetmir Muji

Është liruar kameramani i Paparacit, Jetmir Muji, pas arrestimit të tij nga Policia e Kosovës për shkak të realizimit të xhirimit të mbrojtjes së afërt të vajzave të presidentes Vjosa Osmani.

Në komunikatën e Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës theksohet se pas disa orësh të ndalimit, sipas tyre, në mënyrë të jashtëligjshëm në Stacionin Policor Qendër, kameramani Jetmir Muji është liruar.

Sipas AGK-së, Muji ishte mbajtur pa ndonjë shpjegim, ndërsa pas dhënies së një deklarate, prokurori i rastit ka urdhëruar lirimin e tij. AGK e ka cilësuar arrestimin dhe mbajtjen e tij për disa orë si arbitrare dhe ka kërkuar përgjegjësi nga Policia e Kosovës për, siç thuhet, ‘abuzim me detyrën nga ana e pjesëtarëve të saj’.

AGK-ja e konsideron arrestimin të paligjshëm, arbitrar dhe abuzim nga ana e Policisë së Kosovës. Sipas AGK-së, ky është një sulm i papranueshëm kundër lirisë së medias dhe të drejtës së qytetarëve për informim.

Muji bëhet e ditur se ishte ndaluar gjatë kryerjes së punës së tij si kameraman në afërsi të një shkolle private në periferi të kryeqytetit, ku kishte marrë xhirime të mbrojtjes së afërt të vajzave të presidentes.

I pyetur nga RTK, zëdhënësi i policisë për rajonin e Prishtinës, Enis Pllana, tha se nuk ka informacione.

Ndërsa presidentja e vendit, Vjosa Osmani, në reagimin e saj tha se përndjekja ndaj vajzave të saj është e kundërligjshme dhe e rrezikshme. Më tutje Osmani ka thënë se vajzat e saj për pesë vite vijuan mësimet në shkollën ‘Ismail Qemali’ në Prishtinë, dhe se ndryshimi i lokacionit të shkollës është bërë për shkak të problemeve të shkaktuara nga niveli i rrezikshmërisë së lartë dhe për shkak të ndryshimit të lokacionit ku jeton. Por përmendi edhe kushtet në sistemin publik të arsimit.


Go to TOP