Kuçi: Rikthimi i Nikoliqit si president dhe kalimi i Vuçiqit kryeministër – rikthim i autoritarizmit në Serbi

Hulumtuesi i lartë i OCTOPUS, Gurakuç Kuçi, ka paralajmëruar se skena politike e Serbisë po hyn në një fazë të re autoritarizmi, me ngjashmëri të theksuara me vitet ’90 dhe modelin rus Putin–Medvedev.

Sipas mediave ruse, Aleksandar Vuçiq po shqyrton mundësinë që ta rikthejë Tomislav Nikoliqin në postin e presidentit, ndërsa vetë të marrë rolin e kryeministrit. Kuçi vlerëson se ky konfigurim imiton modelin rus, ku presidenti ka rol formal, ndërsa fuqia reale përqendrohet te kryeministri. “Ky skenar do të eliminonte çdo balancë të brendshme dhe do ta shndërronte Serbinë në një sistem personalist të kontrolluar plotësisht nga Vuçiq”, thekson ai.

Rikthimi i Nikoliq, sipas Kuçit, nuk është i rastësishëm. Me rolin e tij në Këshillin Kombëtar për Bashkëpunim me Rusinë dhe Kinën, si dhe pjesëmarrjen në paradën ushtarake në Pekin përkrah Vuçiqit, ai paraqet orientimin e qartë strategjik të Beogradit drejt boshtit Moskë–Pekin.

Shenjë tjetër e autoritarizmit është edhe shkarkimi i komandantit të Njësisë Speciale Antiterroriste, Spasoje Vuleviq, që sipas Kuçit, ishte prelud i një procesi më të gjerë të lojalizimit total të shërbimeve të sigurisë. “Ky është një mekanizëm klasik i konsolidimit autoritar, që i hap rrugë represionit më të fortë ndaj opozitës, mediave dhe shoqërisë civile”, paralajmëron ai.

Kuçi nënvizon se pasojat janë të qarta: brenda Serbisë, demokracia reduktohet në një teatër elektoral pa konkurrencë reale, ndërsa jashtë saj krijohet një Serbi më autoritare, e paparashikueshme dhe e prirur drejt operacioneve hibride. Për Kosovën, kjo nënkupton intensifikim të ndërhyrjeve politike dhe të sigurisë; për Bosnjën dhe Malin e Zi, rritje të presionit destabilizues; ndërsa për BE-në dhe SHBA-të, një partner të pabesueshëm që ndjek kursin e integrimit vetëm në retorikë.

“Nëse rikthimi i Nikoliq si president dhe kalimi i Vuçiq si kryeministër realizohet, atëherë nuk kemi të bëjmë vetëm me një manovër politike, por me shndërrimin e Serbisë në një regjim të ngjashëm me atë të Putinit, me pasoja të drejtpërdrejta për rajonin dhe Evropën. Për ndërkombëtarët ky është një alarm i qartë – ose të ndërhyjnë me presion real mbi Beogradin, ose të përgatiten për një dekadë të re autoritarizmi dhe destabilizimi në Ballkan,” përfundoi Kuçi. /Kosova.info/


Go to TOP