Tiranë: 29-vjeçari ther me thikë dy vëllezërit e tij
Një përleshje mes tre vëllezërve ka përfunduar me dhunë të rëndë paraditen e sotme në Tiranë. Policia njofton se një 29-vjeçar ka plagosur me thikë dy vëllezërit e tij, të moshës 27 dhe 20 vjeçar.
Ngjarja ndodhi rreth orës 11:00, në rrugën e Paskuqanit, ku, sipas policisë, konflikti ka shpërthyer për motive të dobëta. Efektivët e Komisariatit Nr. 5 ndërhynë menjëherë, duke bërë të mundur arrestimin e autorit të dyshuar dhe shoqërimin e tij për procedura të mëtejshme.
“Rreth orës 11:00, në rrugën e Paskuqanit, dyshohet se pas një konflikti të çastit, për motive të dobëta, shtetasi E. M., 29 vjeç, ka plagosur me mjet prerës (thikë), vëllezërit e tij shtetasit Z. M., 27 vjeç dhe A. M., 20 vjeç. Pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 5, kanë shkuar menjëherë në vendngjarje ku si rezultat i veprimeve të shpejta kanë bërë të mundur identifikimin dhe kapjen e autorit të dyshuar, shtetasit E. M., dhe shoqërimin e tij, në Komisariat, për veprime të mëtejshme procedurale. 2 shtetasit e dëmtuar ndodhen në spital, në kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën”, thuhet në njoftimin zyrtar.
