Hamiti: Kurti po e ushtron kundërligjshëm pozitën e Kryeministrit

Zyrtari i LDK-së, Muhamet Hamiti, ka reaguar ndaj deklarimeve të përfaqësuesve të Vetëvendosjes, duke thënë se Kuvendi i Kosovës është konstituuar dhe se Albin Kurti ka qenë deputet prej ditës së certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve.

Hamiti theksoi se Kurti ka dhënë betimin si deputet dhe ka marrë pjesë me dhjetëra herë në votimet e mbajtura në seancën konstituive të Kuvendit. Sipas tij, kjo e bën të papajtueshme pozitën aktuale të Kurtit si Kryeministër.

Postimi:

VV-ja dhe përkrahësit e saj po thonë se është konstituuar Kuvendi i Kosovës. Këta duhet ta dijnë se lideri i VV-së Albin Kurti është deputet prej ditës kur janë certifikuar rezultatet e zgjedhjeve të sivjeme. Prej kur e ka dhënë betimin e tij si deputet po se po. Kurti ka votuar me dhjetëra herë në mbledhjen konstituive të Kuvendit. Deputetit nuk i lejohet të mbajë post ekzekutiv. Deputeti Albin Kurti po e drejton Qeverinë e Kosovës tash e pothuaj një gjysmë viti, në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Po e mban kundërligjshëm postin e Kryeministrit. S’mund të jeshë deputet dhe (krye)ministër në Kosovë. Prandaj, zyrtarët e BE-së nuk e takojnë Kurtin në zyrat e Qeverisë së Kosovës.

Ja çka thotë Kushtetuta e Republikës së Kosovës për këtë çështje shprehimisht (Neni 70, pika 2, dhe Neni 72):

***

Neni 70 [Mandati i Deputetëve]

1. Deputetët e Kuvendit janë përfaqësues të popullit dhe nuk i nënshtrohen asnjë mandati detyrues.

2. Mandati i deputetit të Kuvendit të Kosovës fillon ditën e certifikimit të rezultatit të zgjedhjes.

Neni 72 [Papajtueshmëria]

Deputeti i Kuvendit të Kosovës nuk mund të mbajë ndonjë post ekzekutiv në administratën publike ose në ndonjë ndërmarrje në pronësi publike, dhe as të ushtrojë ndonjë funksion tjetër ekzekutiv, sikurse është përcaktuar me ligj.

***

Presidentja e Kosovës duhet ta garantojë funksionimin demokratik dhe kushtetutes të institucioneve të vendit tonë.


Go to TOP