AUV-ja e Hungaria drejt memorandumit për sigurinë ushqimore dhe shëndetin e kafshëve
Drejtori Ekzekutiv i Agjencisë së Ushqimit dhe të Veterinës së Kosovës (AUV), Bekim Hoxha, priti sot në takim Ambasadorin e Hungarisë në Kosovë, Laszlo Istvan Dux, me të cilin diskutoi për thellimin e bashkëpunimit ndërinstitucional në fushën e sigurisë ushqimore dhe veterinarisë.
Në fillim të takimit, drejtori Hoxha i uroi mirëseardhje ambasadorit duke e falënderuar për mbështetjen e vazhdueshme të Ambasadës së Hungarisë në forcimin e marrëdhënieve ndërmjet institucioneve të të dy vendeve, sidomos në sektorët që ndikojnë drejtpërdrejt në shëndetin e qytetarëve.
Ai e njoftoi ambasadorin për iniciativën e AUV-së për hartimin e një Memorandumi të Mirëkuptimit ndërmjet kësaj agjencie dhe homologes së saj në Hungari. Ky memorandum ka për qëllim forcimin e bashkëpunimit teknik e institucional, veçanërisht në rritjen e sigurisë ushqimore dhe mbikëqyrjen e importit të kafshëve.
Drejtori Hoxha theksoi gjithashtu rëndësinë e zgjerimit të bashkëpunimit në sektorin e prodhimeve të qumështit dhe ngritjen e kapaciteteve laboratorike, për të përmbushur standardet evropiane të kontrollit dhe sigurisë ushqimore.
Nga ana e tij, ambasadori Dux vlerësoi iniciativën dhe shprehu gatishmërinë e shtetit hungarez për të mbështetur Kosovën në këtë drejtim. Ai nënvizoi se fusha e ushqimit dhe veterinarisë është mjaft e ndjeshme, pasi ndikon drejtpërdrejt në shëndetin dhe jetën e qytetarëve, ndaj kërkon një angazhim të vazhdueshëm dhe të përbashkët.
Takimi u përmbyll me zotimin e të dyja palëve për intensifikimin e bashkëpunimit mes dy agjencive dhe përmbushjen e objektivave të përbashkëta në fushën e sigurisë ushqimore dhe shëndetit të kafshëve. /Kosova.info/
