Policia në Nepal qëllon mbi protestuesit para Parlamentit, 11 të vrarë

Policia në Kathmandu hapi zjarr të hënën ndaj protestuesve që po demonstronin kundër ndalimit të qeverisë për rrjetet sociale, duke vrarë të paktën 11 persona dhe plagosur dhjetëra të tjerë.

Shtatë persona vdiqën në Qendrën Kombëtare të Traumës, tha Dr. Badri Risal, duke shtuar se në spital ishin të shtruar 58 të plagosur.

“Shumë prej tyre janë në gjendje të rëndë dhe duken sikur janë qëlluar në kokë dhe në gjoks,” tha mjeku në spitalin kryesor të vendit, të vendosur në zemër të Kathmandu, raporton AP.

Familjarët prisnin me ankth jashtë për lajme mbi të afërmit e tyre, ndërsa njerëzit radhiteshin për të dhuruar gjak.

Dy persona vdiqën në Spitalin Civil dhe dy të tjerë në spitalin KMC, sipas mjekëve që folën në kushte anonimiteti pasi nuk janë të autorizuar të komentojnë.

Të plagosurit po trajtoheshin në gjashtë spitale të ndryshme në Kathmandu.

Dhjetëra mijëra protestues dolën në rrugët e kryeqytetit të Nepalit të hënën për të shprehur zemërimin kundër vendimit të autoriteteve për të bllokuar shumicën e platformave të mediave sociale, përfshirë Facebook, X dhe YouTube, duke thënë se kompanitë nuk kishin arritur të regjistroheshin dhe të nënshtroheshin mbikëqyrjes së qeverisë.


Go to TOP