AKB akuzon Komunën e Prishtinës dhe Pallatin e Rinisë për mbylljen e paligjshme të biznesit 20-vjeçar
Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB) ka reaguar ashpër ndaj Komunës së Prishtinës dhe Pallatit të Rinisë, duke i akuzuar për veprim arbitrar dhe shkelje të rëndë të ligjit, pas mbylljes së biznesit VISARI SHPK – VVD, një kompani me traditë 20-vjeçare në treg, njofton Kosova.info.
Sipas AKB-së, më 1 shtator, pa vendim gjykate dhe në kundërshtim me çdo parim ligjor, lokalet e kompanisë janë mbyllur me dry, duke lënë 25 punëtorë pa punë dhe duke i bllokuar biznesit mjete në vlerë prej mbi 200 mijë eurove.
Ky veprim, sipas AKB-së, rrezikon falimentimin e markës tregtare “Life Style”, një emër i njohur në tregun kosovar.
“Ky është një akt i papranueshëm, që shkel të drejtat e pronësisë dhe lirinë e biznesit, duke dëshmuar arrogancë institucionale dhe duke sjellë dëm të drejtpërdrejtë për ekonominë e vendit”, thuhet në reagimin e tyre.
AKB kërkon nga Komuna e Prishtinës dhe Pallati i Rinisë që: të hiqet menjëherë dryni dhe biznesi të rikthehet në lokalet ku ka ushtruar aktivitet prej dy dekadash; të japin llogari për këtë vendim të paligjshëm dhe dëmet e shkaktuara dhe institucionet qendrore të reagojnë ndaj këtij precedenti të rrezikshëm, ku bizneset mbyllen pa vendim gjyqësor dhe pa respektim të kontratave.
Në fund, AKB paralajmëron se do të përdorë të gjitha mjetet ligjore dhe demokratike për të mbrojtur bizneset vendore nga padrejtësi të tilla, duke mos lejuar që “vendimet arbitrare të shkatërrojnë mundin dhe punën e qytetarëve tanë”./Kosova.info/
