Kryeziu sfidon doktrinën e Enver Hasanit: Qasja e tij rrezikon themelet kushtetuese të Kosovës

Ish-gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese, Kadri Kryeziu, ka reaguar sërish lidhur me çështjen e moszgjedhjes së nënkryetarit serb të Kuvendit të Kosovës duke e konsideruar këtë debat si përplasje mes dy doktrinave juridike – asaj të tij dhe të ish-kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani.

Kryeziu thotë se, ndryshe nga Hasani i cili i qaset kushtetutës me logjikën teknike të interpretimit të ligjeve dhe akteve nënligjore, ai vetë e sheh kushtetutën para së gjithash si një tekst filozofik e pastaj teknik. Sipas tij, pjesa themelore e kushtetutës qëndron në kapitullin e parë – dispozitat themelore – të cilat kanë fuqi dogmatike dhe mbi të cilat duhet të mbështeten të gjithë kapitujt e tjerë.

“Kur Enver Hasani interpreton se Kuvendi nuk mund të konstituohet pa zgjedhjen e të gjithë nënkryetarëve, ai është i bindur se kjo nuk prodhon pasoja juridike për shtetin. Por kjo qasje e tij duke parë kushtetutën thjesht si tekst teknik, është thellësisht e rrezikshme dhe cenon nenin 1 dhe 3 të saj, që përkufizojnë Kosovën si shoqëri shumëetnike brenda një shteti unik”, theksoi Kryeziu.

Ai kujtoi se Gjykata Kushtetuese në vitin 2014 kishte konstatuar se Kuvendi konstituohet kur zgjidhen kryetari dhe nënkryetarët, por pa specifikuar domosdoshmërinë e zgjedhjes së të gjithëve. Sipas tij, futja e termit “të gjithë” në këtë formulim i jep komuniteteve pakicë fuqi veto, gjë që e vendos Kosovën në kundërshtim me parimet e saj themelore.

Kryeziu tha se për të, si qytetar dhe jo si figurë politike, nuk ka shumë rëndësi nëse procedura për zgjedhjen e nënkryetarit serb ka qenë në rregull apo jo, sepse kjo mund të korrigjohet me përsëritjen e procesit. Por ai e konsideron problematike qasjen e Gjykatës Kushtetuese që e cilëson moszgjedhjen e nënkryetarëve si “pasojë të pariparueshme për rendin kushtetues”.

“Brenga ime është esenciale dhe patriotike, nuk ka të bëjë me ego apo protagonizëm. Deri në shpalljen e aktgjykimit final nuk do të ndalem së prezantuari argumente juridike pse qasja aktuale është e rrezikshme dhe me pasoja katastrofale për Republikën e Kosovës”, deklaroi Kryeziu duke paralajmëruar se në rast se dështojnë përpjekjet e tij juridike, ai nuk do të hezitojë të bëhet pjesë e revoltës popullore në mbrojtje të shtetit. /Kosova.info/


Go to TOP