Nxënës dhe prindër protestojnë në shkollën “Ismail Qemali” për kushte higjienike
Disa nxënës të shkollës fillore “Ismail Qemali” në Prishtinë, së bashku me prindërit e tyre, kanë protestuar para objektit shkollor duke kërkuar përmirësimin e kushteve për zhvillimin e mësimit pas problemeve të shkaktuara nga një pusete e kanalizimit.
Nxënësit mbajtën në duar mbishkrime si “S’ka kushte, s’ka mësim” dhe “Shkolla pa kushte, e ardhme pa shpresë”. Ndërkohë, klasat e pesta bojkotuan tërësisht mësimin e ndërrimit të pasdites të martën.
Prindërit u shprehën të pakënaqur me gjendjen higjienike në shkollë duke kërkuar ndërhyrje urgjente për të parandaluar rreziqe për fëmijët.
Drejtuesja e shkollës, Mimoza Krasniqi, deklaroi se problemi ishte shkaktuar nga një pusete dhe jo nga gypi i kanalizimit, siç u raportua fillimisht. “Dezinfektimi është bërë dje komplet. Klasat janë pastruar dhe dezinfektuar. Prindërit kanë kërkuar që të bëhet edhe një inspektim sanitar ditën e nesërme,” tha Krasniqi për mediat.
Nxënësit dhe prindërit presin që autoritetet përgjegjëse të ndërhyjnë për të siguruar kushte të përshtatshme për mësim në këtë shkollë. /Kosova.info/
