Gjykata Supreme reagon ndaj Alban Krasniqit: Sulmet ndaj gjyqtarit Zenel Leku janë të papranueshme
Gjykata Supreme e Kosovës ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të anëtarit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Alban Krasniqi, nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje. Reagimi vjen pas mbledhjes së KQZ-së më 1 shtator 2025, ku Krasniqi kishte përdorur, sipas gjykatës, “gjuhë të papranueshme” ndaj kësaj instance dhe gjyqtarit të saj, Zenel Leku.
Në komunikatë, Gjykata Supreme thekson se deklaratat e Krasniqit përbëjnë sulm të drejtpërdrejtë ndaj integritetit të gjyqtarit dhe të sistemit të drejtësisë në vend.
“Lakimi dhe krahasimi i emrit të gjyqtarit Zenel Leku është tentativë e ulët për ta dëmtuar figurën e tij dhe për ta minuar besimin në drejtësi. Shpikja e teorive konspirative, etiketimet dhe përpjekjet për denigrim të figurave të gjyqtarëve në një institucion si KQZ, ku pritet maturi dhe respekt, tregojnë mungesë të kulturës politike”, thuhet në reagim.
Gjykata Supreme kujton se qytetarët e Kosovës kanë nevojë për përfaqësues që respektojnë institucionet, jo për ata që i delegjitimojnë ato me akuza pa fakte.
Në fund, Gjykata nënvizon se vendimet e saj bazohen vetëm në Kushtetutë dhe ligj dhe se kurrë nuk do të jenë në shërbim të politikave ditore. /Kosova.info/
