BQK shpall çmimin për raportimin më të mirë në sistemin financiar
Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK) ka shpallur thirrjen për çmimin e shkrimit dhe raportimit më të mirë për sektorin financiar, me synim nxitjen e gazetarisë cilësore dhe transparencës në këtë fushë.
Ky çmim synon të vlerësojë dhe të shpërblejë gazetarët që kontribuojnë me analiza të thelluara, hulumtime profesionale dhe raportime të balancuara mbi sistemin financiar, i cili ka rëndësi të madhe për qytetarët dhe bizneset në vend.
Çmimi i BQK-së do të ndahet çdo vit më 15 nëntor, në Ditën e Themelimit të Bankës Qendrore të Kosovës, duke u shndërruar në një traditë për vlerësimin e gazetarisë ekonomike.
Për vitin 2025, çmimet janë të ndara në katër kategori:
Shkrimi më i mirë i publikuar në gazetë (online dhe PDF);
Shkrimi më i mirë i publikuar në medie online/web portal;
Raportimi më i mirë i transmetuar në televizion;
Raportimi më i mirë i transmetuar në radio.
Në konkurs mund të marrin pjesë të gjitha shkrimet apo raportimet e botuara e transmetuara nga 1 janari deri më 31 tetor 2025. Artikujt duhet të trajtojnë tema që lidhen me sistemin financiar, përfshirë bankat, sigurimet, pensionet, gjithëpërfshirjen financiare dhe inovacionin financiar.
Afati i fundit për dorëzimin e materialeve është 31 tetor 2025.
