Lushaku-Sadriu kritikon qeverinë për fillimin e vitit shkollor: Prindërit në vështirësi, nxënësit pa reforma

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Jehona Lushaku-Sadriu, tha se fillimi i këtij viti të ri shkollor e gjen vendin të papërgatitur dhe prindërit të ngarkuar me kosto shtesë për sigurimin e materialeve shkollore.

Në një konferencë për media, ajo kritikoi qeverinë për mënyrën e subvencionimit të teksteve, duke theksuar se kjo metodë ka rezultuar më e kushtueshme sesa nëse vetë Ministria e Arsimit do të siguronte librat për nxënësit.

“Për fat të keq, ky vit shkollor nuk na gjen të përgatitur, nuk gjen ndonjë reformë përmbajtjesore. Nuk do të shohim ndonjë investim serioz. Ne sot më 1 shtator do të mund të kishim një ambient të përshtatshëm, me kurrikulë adekuate dhe jo të ngarkuar si sot. Kjo tregon për mosrespekt ndaj nxënësve dhe të ardhmes së tyre”, tha ajo.

Sipas saj, mungesa e reformave, ngarkesa e kurrikulës dhe mosinvestimi në kushte më të mira mësimi janë dëshmi e një qasjeje të gabuar të qeverisë karshi arsimit dhe brezit të ri. /Kosova.info/


Go to TOP