Haziri: Konstituivi i Kuvendit, politikë ‘një hap para e dy prapa’

Anëtari i Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lutfi Haziri, ka reaguar pas zhvillimeve të fundit rreth konstituivit të Kuvendit të Kosovës duke e quajtur procesin një shembull të politikës “një hap para e dy prapa”.

Sipas tij, megjithëse me zgjedhjen e kryetarit dhe nënkryetarëve nga shumica politike e etnike u bë një hap përpara, vendimi për të ndarë zgjedhjen e nënkryetarëve të komuniteteve ka qenë kthim prapa.

“Këta s’e kuptojnë ose nuk duan ta kuptojnë frymën e Kushtetutës, që bashkëpunimi është obligativ e jo vullnet. Pragmatizmi politik dhe kompromisi janë vlera në politikë, jo dobësi,” ka theksuar Haziri.

Ai ka shtuar se kjo situatë është arsyeja pse edhe miqtë ndërkombëtarë kanë insistuar që të drejtat e komuniteteve pakicë në Kosovë të garantohen vetëm përmes mekanizmave kushtetues.

“Republika, mbi të gjitha,” përfundon reagimin e tij Haziri. /Kosova.info/


Go to TOP