Abdixhiku përkujton Kolë Berishën në 4-vjetorin e ndarjes nga jeta: Një shtyllë e fortë e institucioneve të Kosovës
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka përkujtuar sot veprimtarin dhe ish-kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Kolë Berisha, në katër vjetorin e ndarjes së tij nga jeta.
Në një mesazh të ndjerë, Abdixhiku e ka cilësuar Berishën si një personalitet të shquar kombëtar e politik, jurist të dalluar dhe veprimtar të hershëm të çështjes kombëtare, i cili u persekutua nga regjimi serb. Ai kujtoi gjithashtu angazhimin e Berishës si mësues në Ujmirë e Gllarevë të Klinës, si dhe sekretar i Gjimnazit “Luigj Gurakuqi” në Klinë.
Me themelimin e LDK-së, Kolë Berisha iu bashkua menjëherë radhëve të saj dhe mbeti i palëkundur në angazhimin për liri e pavarësi të Kosovës. Për shumë mandate ai shërbeu si deputet, nënkryetar i LDK-së, si dhe kryetar i Kuvendit të Kosovës duke qenë një bashkëpunëtor i afërt i presidentit historik Ibrahim Rugova.
“Kolë Berisha ishte një shtyllë e fortë e institucioneve dhe një zë i fuqishëm për aspiratat e popullit tonë. Bashkëpunimi i tij i ngushtë me presidentin Rugova mbetet dëshmi e përkushtimit të tij për idealet më të larta kombëtare. Ai ishte burrë i urtë e fjalëpak, që reflektonte paqe e bashkëpunim, dhe do të kujtohet përherë për kontributin e tij të pashoq”, u shpreh Abdixhiku.
Ai përfundoi përkujtimin me fjalët: “I përjetshëm kujtimi, për Kolë Berishën!”. /Kosova.info/
