Reagime të forta pas dorëheqjes së Liburn Aliut: Lëvizja Vetëvendosje drejt kapitullit të fundit?

Dorëheqja e Liburn Aliut nga Vetëvendosje ka nxitur reagime të shumta dhe të ashpra nga ish-bashkëpunëtorë e analistë politikë, të cilët e shohin këtë zhvillim si dëshmi të krizës së thellë të partisë në pushtet.

Uk Lushi tha se anëtarët e Vetëvendosjes duhet të çlirojnë partinë nga “uzurpimi dhe pengmarrja e Albin Kurtit”.

“Një parti nuk i nënshtrohet një njeriu. Një popull nuk i nënshtrohet një njeriu”, deklaroi ai.

Ndërkaq, analisti Bleron Baraliu reagoi ashpër duke e quajtur dorëheqjen e Aliut “zhveshje lakuriqe para fundit historik të Vetëvendosjes dhe demitizimit të Albin Kurtit”. Ai e cilësoi Aliun si “idealistin më të spikatur të fillimeve të LVV-së, shtyllën kyçe dhe numrin dy të saj” duke theksuar se ai përfaqësonte shpirtin e parë patriotik e idealist të lëvizjes.

Baraliu kujtoi se qysh më 2011 kishte kuptuar mungesën e aftësisë së Aliut për të kapërcyer manipulimin e Kurtit, por megjithatë theksoi se peshën dhe vlerën e tij nuk mund ta zbehë askush. “Pa Liburnin, VV mbetet e zhveshur, lakuriq”, tha ai duke shtuar se dorëheqja e tij shënon fundin e Vetëvendosjes si lëvizje patriotike dhe fillimin e kapitullit të fundit të saj.

Sipas tij, partia e drejtuar nga Kurti është shndërruar në një grup interesash të ndërtuar mbi “narcisoizmin dhe ngushtësinë e një individi” dhe rrezikon të përfundojë në “koshin e plehrave të historisë”.

Këto reagime pasojnë largimin e njërit prej figurave më të rëndësishme të Vetëvendosjes duke hapur debat për krizën e brendshme dhe të ardhmen e lëvizjes që për vite me radhë kishte ndërtuar imazh si parti e idealizmit dhe rezistencës politike. /Kosova.info/


Go to TOP