Ramadani: Zërat e pakënaqur brenda VV-së po shtohen, Qeveria Kurti 3 nuk do të bëhet
Analisti Burim Ramadani ka komentuar zhvillimet e fundit politike në Kosovë duke thënë se pakënaqësitë brenda Lëvizjes Vetëvendosje janë të shumta dhe do të vazhdojnë të rriten në publik.
Sipas tij, ndërrimi i kandidatit për kryetar të Kuvendit ishte një hap i domosdoshëm për të tejkaluar bllokadën disa-mujore. “Ndërrimi i kandidatit ishte zgjidhja që u dëshmua e patjetërsueshme. Me zgjedhjen e Kryeparlamentarit të ri, Dimal Basha, Kosova tash është afër tejkalimit të plotë të ngërçit institucional e politik”, deklaroi Ramadani.
Ai shtoi se hapi i fundit drejt normalizimit duhet të ndodhë menjëherë. “Hapi i fundit rreth tejkalimit të plotë të bllokadës duhet të ndodhë nesër, jo më larg”, theksoi ai.
Në fund, analisti u shpreh se këto zhvillime tregojnë qartë se nuk ka kushte për një mandat të tretë të Albin Kurtit. “Qeveria Kurti 3 nuk do të bëhet. Të gjitha këto ngjarje të këtyre muajve janë dëshmitë finale pse nuk ka dhe nuk duhet të ketë Qeveri Kurti 3”, u shpreh Ramadani. /Kosova.info/
