Njëri prej të arrestuarve për drogën në Gjilan, kandidat i VV-së për asamble në Novobërdë

Policia e Kosovës dje arriti të lokalizojnë një plantacion me rreth 500 bimë të llojit “kanabis sativa” në një fshat të rajonit të Gjilanit, Zhegoc, me ç’rast u arrestuan tre persona.

Klan Kosova merr vesh se njëri prej të arrestuarve është kandidat i VV-së për asamble komunale në Novobërdë, Rinas Zeqiri.

Njoftimin për kandidaturën e tij e kishte bërë Abdyl Gashi, i cili është kandidat për kryetar të komunës së Novobërdës dhe bartës liste nga VV-ja.

Raportimin e Klan Kosovës e konfirmon me një reagim tutje edhe vet Abdyl Gashi, i cili shton se për fat të keq, prezantimi i tij rezultoi ndryshe nga pritshmëritë e tyre!

”Të nderuar qytetarë të Artanës,

Dua t’ju njoftoj se, sipas raportimeve në media, kandidati për Asamble komunale nga lista e Lëvizjes Vetëvendosje, Rinas Zeqiri, është arrestuar nga Policia e Kosovës nën dyshimin për përfshirje në mbjelljen e bimëve narkotike.

Rinasi i është bashkuar listës sonë vetëm para rreth një muaji, me iniciativë personale dhe dëshirë për të kontribuar. Ai nuk ka qenë më parë aktivist apo anëtar i Lëvizjes Vetëvendosje. E kemi njohur së fundi dhe kemi besuar se si i ri, me gatishmëri për të punuar, mund të jepte një kontribut në Asamble. Për fat të keq, prezantimi i tij rezultoi ndryshe nga pritshmëritë tona.

Megjithatë, ne mirëpresim veprimin e Policisë së Kosovës dhe besojmë se drejtësia do të veprojë. Për këtë akt, kërkojmë përgjegjësi të plotë dhe të qartë nga çdo veprim i kundërligjshëm”.


Go to TOP