Miftaraj: Qeveria e shndërruar në hajgare, subvencionet përdoren si propagandë politike
Ehat Miftaraj nga KDI ka reaguar ashpër ndaj mënyrës se si pushteti aktual e menaxhon qeverisjen dhe komunikimin publik. Ai ironizoi faktin se, sipas tij, propozimi i Arbërie Nagavcit për Kryetare të Kuvendit do të arsyetohet si sukses vetëm pse mbi 200 mijë prindër kanë aplikuar për subvencionimin e teksteve shkollore përmes platformës E-Kosova.
“Shtet hajgare që shpenzon energji të jashtëzakonshme për t’ua bërë qytetarëve jetën edhe më të vështirë,” tha Miftaraj.
Ai theksoi se ndërkohë që qytetarët përballen me procedura të panevojshme, deputetët dhe ministrat përfitojnë nga veturat zyrtare, shpenzojnë dreka e darka me paratë e taksapaguesve dhe shpërndajnë tenderë e para tek familjarët, miqtë dhe shokët e partisë.
Sipas tij, militantët e partisë vazhdojnë të subvencionohen dhe të udhëheqin “luftën digjitale në emër të patriotizmit”, ndërsa përmendi edhe rastin e këshilltarit të Agim Bahtirit, i cili sipas tij e ka obligim të ofendojë së paku tre persona që nuk janë në linjë me “nënën parti”. /Kosova.info/
