Avdyli i Guxo: Duhet të shkojmë në zgjedhje sa më shpejt

Para nisjes së vazhdimit të seancës konstituive, Haxhi Avdyli, deputet i partisë Guxo – pjesë e koalicionit parazgjedhor me LVV-në – tha se ndryshimi i emrit të kandidatit për kryeparlamentar nga LVV-ja seancën e kaluar, bëri që “farsa” e partive të tjera “mbaroi”.

Ai kërkoi që vendi të mbajë sa më shpejt zgjedhje të reja parlamentare.

“Ata [partitë që mandatin e kaluar ishin në opozitë] janë bllokuesit e shtetit, ne duhet të shkojmë në zgjedhje sa më shpejt dhe qytetarët t’ua tregojnë vendin me më shumë se 51 për qind”, tha ai.

PDK, AAK kanë kërkuar që LVV-ja të ndryshojë emrin e kandidatit për kryeparlamentar, pasi në të kaluarën kjo parti kishte insistuar vetëm në kandidimin e Albulena Haxhiun.

“LDK-ja po ashtu ka thënë që nuk voton asnjë kandidat të LVV-së. Donika Gërvalla është e partisë Guxo. Kjo bie në ujë. Qytetari po e sheh se kush është bllokuesi”, tha Avdyli.

I pyetur nga gazetarët se kush do të propozohet sot për kryeparlamentar nga LVV-ja, Avdyli tha se tani kanë mbledhjen e grupit parlamentar, ku do të diskutohet kjo çështje.


Go to TOP