AME: 97 vatra zjarri në vend, 26 ende aktive

Agjencia e Menaxhimit Emergjent ka njoftuar se gjatë ditës së sotme në nivel vendi janë regjistruar gjithsej 97 vatra zjarri, prej të cilave 26 vazhdojnë të jenë aktive, ndërsa 71 janë lokalizuar falë intervenimit të Njësive Profesionale të Zjarrfikjes dhe Shpëtimit.

“Gjatë pasdites është vërejtur një rritje e lartë e numrit të zjarreve. Situata më e rënduar është paraqitur në komunat Klinë, Vushtrri, Podujevë dhe Mamushë”, thuhet në raportin e AME-së.

Kjo rritje e vatrave ka krijuar “vështirësi të mëdha për ekipet reaguese në terren”. Sipas Agjencisë, situata aktualisht është nën kontroll, por mbetet mjaft sfiduese.

AME u bën apel qytetarëve që të jenë të kujdesshëm dhe të shmangin çdo veprim që mund të shkaktojë zjarr.

“Apelojmë tek qytetarët që të denoncojnë pranë organeve ligjzbatuese çdo rast të zjarrvënies, si dhe të raportojnë rastet urgjente në numrat 112, 193 dhe 192”, thuhet në njoftim.

Agjencia ka shprehur mirënjohje për përkushtimin e Njësive Profesionale të Zjarrfikjes dhe Shpëtimit, Policisë së Kosovës dhe FSK-së, të cilët po veprojnë pandërprerë për menaxhimin e situatës. /Kosova.info/


Go to TOP