Peci: VV i futi partitë opozitare në terrenin e vet, Kosova rrezikon të mbetet pa Kuvend
Analisti politik Lulzim Peci ka reaguar pas vendimit të KQZ-së për moscertifikimin e Listës Serbe duke theksuar se me këtë veprim është dëmtuar rëndë interesi shtetëror i Kosovës. Ai tha se Vetëvendosje ia ka dalë t’i fusë partitë e ish-opozitës në terrenin e vet përmes çështjeve të quajtura patriotike, të cilat, sipas tij, po maten më shumë me “anti-serbizëm” sesa me avancimin e interesave të vendit.
“PZAP do ta certifikojë sërish Listën Serbe, ashtu siç bëri me zgjedhjet e 9 shkurtit, ndërsa me aktin e sotëm vetëm i kemi bërë vetes ‘sjelli e bjeri’. Tregimi nuk përfundon këtu, pasi epilogu i kësaj loje të dëmshme do të jetë zgjedhja e kryesisë së Kuvendit, ku një vend i takon përfaqësuesit të Listës Serbe. Shumë lehtë, për shkak të dalldisë së tanishme, mund të mbetemi pa Kuvend,” ka shkruar Peci.
Ai shtoi se as Serbia e Millosheviqit nuk ka ndaluar ndonjë parti politike të shqiptarëve në Kosovë duke paralajmëruar se ky kurs i politikës kosovare po i jep mesazhe të gabuara edhe partnerëve ndërkombëtarë.
“Me këtë rrugë ku jemi futur, do të paguajmë një çmim të madh, të cilin, ashtu siç po e zgjedhim, edhe do ta mbajmë me shëndet,” përfundoi Peci. /Kosova.info/
