Edhe shtatë shkolla të kryeqytetit kalojnë në mësim tërëditor nga viti 2025/2026

Me fillimin e vitit të ri shkollor 2025/2026, Prishtina do të bëjë një hap të rëndësishëm përpara në fushën e arsimit. Shtatë shkolla të kryeqytetit do t’i bashkohen modelit të mësimit tërëditor duke shënuar një kapitull të ri në historinë e arsimit në Kosovë.

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, theksoi se ky hap është pjesë e vizionit për të ndërtuar shkolla të sigurta, të dashura dhe frymëzuese, ku arsimi bëhet themeli i një të ardhmeje më të ndritur për çdo fëmijë.

“Së bashku me drejtorët e shkollave dhe kopshteve riafirmuam angazhimin tonë për një lidership të fortë, për bashkëpunim të gjerë dhe, më e rëndësishmja, për vendosjen e fëmijëve në qendër të çdo vendimi që marrim,” u shpreh Rama.

Sipas tij, ky nuk është vetëm një fillim i ri shkollor, por një mundësi për ngritjen e standardeve, fuqizimin e mësimdhënësve dhe forcimin e komunitetit arsimor në Kryeqytet.

Ky projekt, sipas Komunës, synon të tejkalojë kufizimet e sistemit tradicional, duke u ofruar fëmijëve kushte më të mira për të mësuar dhe zhvilluar aftësi të reja në një ambient gjithëpërfshirës. /Kosova.info/


Go to TOP