KMDLNj alarmon: 6 vetëvrasje brenda 48 orëve, shteti po zbaton “eutanazinë e heshtur”
Brenda 48 orëve të fundit, gjashtë persona në Kosovë kanë humbur jetën në rrethana të dyshimta, me dyshime për vetëvrasje përmes armës së zjarrit apo vetëvarjes. Shkaqet përfundimtare të vdekjeve, të cilësuara si të dyshimta, pritet të konfirmohen vetëm pas rezultateve të autopsisë nga ekspertët e mjekësisë ligjore.
Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNj) e cilëson këtë rritje të rasteve si një shqetësim serioz, duke theksuar se institucionet dhe shoqëria po merren vetëm me pasojat, pa ndërmarrë masa parandaluese. Sipas tyre, në Kosovë asnjëherë nuk është bërë një hulumtim serioz dhe profesional mbi shkaqet e këtij fenomeni, mbi bazën e të cilit do të mund të ndërtohej një strategji parandaluese.
“Kosova si vend që ka dalë nga lufta është dashur të merrej me këtë çështje në mënyrë që të shkurtohet afati postraumatik, një dukuri normale pas përfundimit të luftës. Çuditërisht, 26 vjet pas luftës, kemi më shumë raste të vetëvrasjeve sesa menjëherë pas përfundimit të saj”, thuhet në reagimin e KMDLNj-së.
Organizata vë në dukje disa faktorë që po ndikojnë në rritjen e numrit të vetëvrasjeve: situata e rënduar ekonomike, papunësia, mungesa e trajtimit të rasteve me prirje për vetëvrasje, mungesa e solidaritetit shoqëror, pamjaftueshmëria e institucioneve shtetërore, humbja e shpresës, kostot e papërballueshme për bizneset dhe presioni i vazhdueshëm nga rreziku i luftës. Këto dukuri janë më të theksuara tek grupet e margjinalizuara si pensionistët dhe veteranët e luftës, ndërsa një numër më i vogël i rasteve vërehet edhe tek biznesmenët.
KMDLNj shpreh shqetësim të thellë për mungesën e reagimit institucional, duke paralajmëruar se është duke u rrezikuar seriozisht e drejta më elementare e njeriut – e drejta për jetë, e garantuar nga të gjitha dokumentet ndërkombëtare dhe kombëtare.
“Me pamundësinë, objektive apo subjektive, të shtetit për të siguruar mbrojtje dhe trajtim shëndetësor të qytetarëve, shteti – pa një bazë ligjore – po e zbaton eutanazinë apo vdekjen e asistuar”, përfundon reagimi i KMDLNj-së. /Kosova.info/
