Prishtina në mbështetje të bizneseve lokale gjatë kalimit në tregun e liberalizuar të energjisë

Komuna e Prishtinës ka shprehur sot qëndrimin e saj të vendosur për të mbështetur bizneset lokale, të mëdha e të vogla, gjatë procesit të kalimit në tregun e liberalizuar të energjisë elektrike duke e cilësuar situatën aktuale si një sfidë të paprecedentë për ekonominë e kryeqytetit dhe mbarë vendit.

Në një deklaratë publike, Komuna e Prishtinës thekson se, megjithëse reformat në tregun e energjisë mund të jenë të nevojshme për qëndrueshmërinë afatgjatë, ritmi dhe mënyra e zbatimit po vendosin barrë të padrejtë mbi bizneset, të cilat përbëjnë shtyllën kurrizore të ekonomisë.

Kryeqyteti i ka bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që të zbatojë një fazë kalimtare drejt liberalizimit, të pezullojë kërcënimet për shkëputje nga rrjeti dhe të hapë një dialog gjithëpërfshirës me komunat, odat ekonomike dhe përfaqësuesit e bizneseve, për të gjetur një zgjidhje të drejtë dhe të qëndrueshme.

Paralelisht, Komuna e Prishtinës ka njoftuar disa masa të menjëhershme në nivel lokal, përfshirë: krijimin e Task Forcës për Qëndrueshmërinë e Bizneseve, zhvillimin e nismave energjetike komunale dhe investimeve në energji të ripërtëritshme, si dhe ofrimin e lehtësimeve tatimore të përkohshme dhe granteve emergjente për bizneset më të prekura.

“Prishtina nuk do të qëndrojë duarkryq ndërsa bizneset tona rrezikojnë të mbyllen. Së bashku, mund të ndërtojmë një të ardhme energjetike më të qëndrueshme dhe më të drejtë,” thuhet në deklaratë. /Kosova.info/


Go to TOP