Dy seminare për gjyqtarët e pingpongut në Prishtinë: Ngritje kapacitetesh dhe licencime të reja për vitin 2025

Në Sallën e Konferencave të Shtëpisë së Sporteve, Federata e Pingpongut e Kosovës organizoi sot dy seminare të veçanta për gjyqtarët, në kuadër të programit të ngritjes së kapaciteteve për vitin 2025.

Seminari i parë ishte i dedikuar për gjyqtarët aktualë, ndërsa i dyti për gjyqtarët e rinj që synojnë licencimin kombëtar. Ligjërues në të dy sesionet ishte gjyqtari ndërkombëtar Naim Azemi, i cili prezantoi rregullat e përgjithshme dhe ato të reja të pingpongut, kompetencat e gjyqtarëve, gabimet e zakonshme gjatë ndeshjeve dhe metodologjinë e duhur të kryerjes së detyrave.

Pjesëmarrësit u përfshinë aktivisht në diskutime dhe pyetje duke shprehur kënaqësinë për përmbajtjen e trajnimit. Në përfundim të seminarit për gjyqtarët e rinj, u mbajt edhe testimi teorik për licencimin e tyre si gjyqtarë kombëtarë.

Federata theksoi se këto seminare janë pjesë e angazhimeve të saj për profesionalizimin dhe rritjen e cilësisë së arbitrimit në sportin e pingpongut në Kosovë. /Kosova.info/


Go to TOP