Bajrami: Kurti po mban peng 700 punëtorë të RTK-së, refuzon të nënshkruajë pagat e korrikut
Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka akuzuar kryeministrin Albin Kurti se po pengon pagesën e pagave për rreth 700 punëtorë të Radio Televizionit të Kosovës (RTK) për muajin korrik.
Sipas saj, pavarësisht se buxheti i RTK-së është miratuar në Kuvend, Kurti refuzon të nënshkruajë pagesat duke e arsyetuar vendimin me mungesën e dritës së gjelbër nga Komisioni Parlamentar që aktualisht nuk ekziston.
Bajrami theksoi se qeveria ka ndarë miliona euro për projekte të dyshimta, të cilat nuk janë të specifikuara në Ligjin e Buxhetit, ndërsa punëtorët e RTK-së po mbahen peng. Ajo shtoi se situata është e ngjashme me vitin 2021, kur kryeministri i atëhershëm Avdullah Hoti kishte gjetur zgjidhje për pagesat edhe pa Kuvend të konstituar.
“700 familje po presin një nënshkrim nga Albin Kurti. Kjo nuk është vetëm padrejtësi – është abuzim me pushtetin,” tha Bajrami duke i bërë thirrje Prokurorisë Speciale të veprojë dhe të lirojë institucionet nga, siç i quajti, “uzurpatorët”. /Kosova.info/
