Sheshi “Sir Mike Jackson” inaugurohet në selinë e KFOR-it në Prishtinë
Komandanti i misionit të udhëhequr nga NATO, KFOR, gjeneralmajor Enrico Barduani, ka udhëhequr sot ceremoninë e inaugurimit të “Sheshit Sir Michael David Jackson” në selinë e KFOR-it në Camp Film City, Prishtinë.
Sheshi mban emrin e gjeneralit Michael David (“Mike”) Jackson, komandanti i parë i Forcës së Kosovës (KFOR), i cili shërbeu nga 10 qershor deri më 8 tetor 1999 dhe luajti një rol vendimtar në vendosjen e themeleve të pranisë së NATO-s në Kosovë.
Në ceremoni morën pjesë personalitete të shumta, përfshirë bashkëshorten dhe djalin e gjeneralit Jackson, Lady Sarah dhe Mark, ish-oficer i regjimentit të parashutistëve ku ka shërbyer gjenerali, si dhe zëvendësshefi i Ambasadës së Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Paul O’Connor.
“Sot i bëjmë nder një ushtaraku të jashtëzakonshëm, roli dhe udhëheqja e të cilit gjatë ditëve të para të KFOR-it ishin shembullore. Ai do të mbetet gjithmonë në zemrat tona, ashtu si edhe trashëgimia e shërbimit të tij në mbështetje të paqes dhe sigurisë për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë,” u shpreh gjeneral Barduani.
Ceremonia u mbyll me zbulimin e një pllake përkujtimore para godinës së selisë së KFOR-it.
KFOR vazhdon të zbatojë mandatin e saj të gjatë, të bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999 duke kontribuar në një mjedis të sigurt dhe të qetë për të gjithë njerëzit dhe komunitetet në Kosovë, në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme, në bashkëpunim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe EULEX-in. /Kosova.info/
