LDK mirëpret mërgatën në mbrëmjen tradicionale të mirëseardhjes

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka pritur mbrëmë në selinë qendrore të partisë bashkatdhetarë nga mërgata në një aktivitet tashmë tradicional të mirëseardhjes.

Në këtë takim, i cili këtë vit mblodhi edhe më shumë pjesëmarrës, Abdixhiku tha se mërgata mbetet një pjesë përbërëse e historisë, zhvillimit dhe të ardhmes së Kosovës, si dhe një urë lidhëse e vendit me botën. Ai u shpreh mirënjohës për aktivistët e palodhur dhe qytetarët që, edhe pse jetojnë larg, nuk janë shkëputur kurrë nga vendlindja dhe ëndrra e përbashkët për ndërtimin e Kosovës.

“Sonte ndamë fjalë, ndjenja, kujtime dhe shpresë, për Kosovën që duam të ndërtojmë së bashku. Rruga jonë është e gjatë, por bashkë jemi më të fortë,” tha Abdixhiku duke i mirëpritur pjesëmarrësit në “shtëpinë e tyre”, LDK-në. /Kosova.info/


Go to TOP