RTK drejt padisë: Sindikata paralajmëron veprime ligjore dhe greva nëse nuk ekzekutohen pagat deri më 14 gusht

Nëse deri më 14 gusht 2025 nuk realizohen mjetet për pagat e punëtorëve, Sindikata e Punëtorëve të Radio Televizionit të Kosovës (RTK) do të dorëzojë padi në gjykatë kundër të gjithë përgjegjësve institucionalë. Kjo padi do të kërkojë përgjegjësi ligjore për gjendjen e rëndë financiare të krijuar në transmetuesin publik, për mos-ekzekutimin e pagave dhe për cenimin e të drejtave themelore të punonjësve.

Në njoftimin zyrtar të sindikatës, thuhet se situata ka marrë përmasa serioze dhe ekziston rreziku real për ndërprerjen e funksionimit të RTK-së. Sot, më 8 gusht, pagat e stafit ende nuk janë ekzekutuar, duke rënduar gjendjen financiare të punëtorëve që përballen me vështirësi të mëdha ekonomike e sociale.

Megjithë këto sfida, punëtorët e RTK-së po vazhdojnë të mbajnë në funksion programin informativ dhe prodhimet e tjera, me përkushtim profesional të lartë, pa lejuar ndërprerje në shërbimin publik.

Sindikatat i bëjnë thirrje të gjitha institucioneve kompetente që të marrin masa urgjente për të zgjidhur krizën financiare dhe për të garantuar funksionimin normal të transmetuesit publik, si dhe për të respektuar të drejtat e ligjshme të punëtorëve.

Në rast të mosreagimit institucional, Sindikata paralajmëron ndërmarrjen e të gjitha formave të veprimit ligjor dhe sindikal, përfshirë:

  • Grevën paralajmëruese,
  • Grevën e pjesshme,
  • Grevën e përgjithshme,
  • Protestat publike paqësore.

Të gjitha këto masa do të ndërmerren në përputhje me Ligjin për Grevat dhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

Njëherësh, Sindikata i bën thirrje edhe institucioneve financiare në Kosovë që të tregojnë mirëkuptim për situatën e punëtorëve të RTK-së, të cilët përballen me obligime të pashmangshme financiare.

Forma dhe data e protestës së radhës do të bëhen të ditura në ditët në vijim përmes kanaleve zyrtare të sindikatës. /Kosova.info/


Go to TOP