Florent Muslija bashkohet me Fortuna Düsseldorfin
Florent Muslija, është bërë përforcimi më i ri i Fortuna Düsseldorfit, duke u bërë transferimi i dhjetë i klubit në këtë afat kalimtar veror.
27-vjeçari do t’i bashkohet skuadrës gjermane të Bundesliga 2 në formë huazimi nga Freiburg, skuadër që garon në elitën e futbollit gjerman. Fortuna ka siguruar gjithashtu opsionin për ta blerë përfundimisht kartonin e lojtarit pas përfundimit të huazimit. Muslija do ta mbajë fanellën me numrin 24.
Karriera e tij ka nisur te të rinjtë e Karlsruherit, ndërsa në vitin 2018 kaloi te Hannover, që në atë kohë garonte në Bundesligë. Më pas ai luajti për Paderbornin, para se t’i bashkohej Freiburgut në vitin 2024.
Në elitën e futbollit gjerman, Muslija ka regjistruar 38 paraqitje dhe ka realizuar 2 gola. Ndërkohë, në Bundesliga 2 ka luajtur 125 ndeshje dhe ka shënuar 29 gola – një bilanc shumë i mirë për një mesfushor.
Në paraqitjen e tij të parë si lojtar i Fortunës, Muslija u shpreh i kënaqur me projektin e klubit:
“Më ka pëlqyer koncepti i zyrtarëve të klubit dhe pjesa ku unë do të kem hapësirë për lojë. Dua të kontribuojë në arritjen e objektivave me paraqitje të mirë dhe mezi pres të jem në këtë qytet të bukur, me tifozë të flaktë e në stadium fantastik”, u shpreh ai për faqen zyrtare të klubit.
Muslija pritet të jetë një përforcim i rëndësishëm për Fortuna Düsseldorfin në synimet për ngjitjen në Bundesliga.
