Mot i ngrohtë dhe stabil në fundjavë

Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës (IHMK) ka njoftuar se fundjava do të karakterizohet me mot stabil dhe temperatura të larta, tipike për stinën e verës.

Sipas parashikimeve të IHMK-së, të shtunën pritet të mbajë mot kryesisht me diell dhe me vranësira të pakta. Temperaturat minimale do të sillen ndërmjet 11-15°C, ndërsa ato maksimale do të arrijnë deri në 31-34°C. Era do të fryjë kryesisht nga drejtimi veriperëndimor, me shpejtësi prej 1 deri në 4 m/s.

E diela do të sjellë mot të ngjashëm – me diell dhe pa reshje. Temperaturat minimale do të jenë mes 12-16°C, ndërsa maksimalet pritet të jenë në intervalin 32-36°C. Edhe të dielën do të fryjë erë nga drejtimi veriperëndimor, me intensitet më të ulët – prej 1 deri në 3 m/s.

IHMK bën thirrje për kujdes gjatë orëve të nxehta të ditës, sidomos për fëmijët dhe të moshuarit, si dhe për konsumim të mjaftueshëm të ujit dhe shmangie të ekspozimit të drejtpërdrejtë në diell.


Go to TOP