Rama fton qytetarët në Gala Night të “Rame Lahaj & Friends”: Prishtina e përjetimeve sonte bëhet skenë e artit botëror

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka ftuar qytetarët që t’i bashkohen një mbrëmjeje të jashtëzakonshme kulturore në Sheshin “Skënderbeu”, ku sonte mbahet Gala Night “Rame Lahaj & Friends”, në kuadër të edicionit jubilar të Rame Lahaj International Opera Festival.

“Prishtina e përjetimeve dhe e emrave të mëdhenj të artit ju pret edhe sonte!”, ka shkruar Rama në postimin e tij duke theksuar se sheshi do të shndërrohet në një teatër të hapur ku muzika, arti dhe emocionet do të marrin jetë.

Në këtë natë gala, që shënon pesëvjetorin e festivalit të themeluar nga tenori i njohur Rame Lahaj, do të performojnë emra të mëdhenj të skenës operistike botërore si sopranja Nino Machaidze, bass-baritoni Dario Russo dhe vetë Rame Lahaj. Ata do të shoqërohen nga Orkestra Simfonike e RTSH-së, nën dirigjimin e maestro Roberto Rizzi Brignoli.

Kryetari Rama theksoi se ky edicion i veçantë i festivalit e vendos Prishtinën mes ngjarjeve më prestigjioze kulturore në botë dhe e afirmon atë si kryeqytet të artit dhe të përjetimeve të rralla artistike.

Gala Night “Rame Lahaj & Friends” zhvillohet sonte në ora 20:30, në Sheshin “Skënderbeu”. Kryeqyteti do të jetë nikoqir i emocioneve të mëdha në një natë ku opera dhe arti bëhen një me qytetin. /Kosova.info/


Go to TOP