Kryeziu: Nëse Dhomat Speciale nuk përjashtojnë provat nga Serbia, Kosova duhet ta ndërpresë bashkëpunimin
Ish-gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Kadri Kryeziu, ka reaguar ashpër ndaj bashkëpunimit juridik të Dhomave të Specializuara me autoritetet e Serbisë, duke e cilësuar këtë si një shkelje flagrante të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe si një veprim që bie ndesh me parimet themelore të sovranitetit të shtetit.
Në një analizë të dytë publike, Kryeziu thekson se pas publikimit të shkrimit të tij të mëparshëm me titull “Ka ardhur koha që Dhomave të Specializuara t’u themi stop”, ai është kontaktuar nga persona të afërt me këtë institucion, të cilët kanë tentuar të justifikojnë ligjshmërinë e bashkëpunimit me Serbinë përmes interpretimit të disa dispozitave të Ligjit për Dhomat e Specializuara. Por Kryeziu i kundërshton me forcë këto pretendime.
“Dhomat e Specializuara nuk ekzistojnë jashtë rendit juridik të Republikës së Kosovës. Ato i nënshtrohen Kushtetutës dhe nuk kanë autoritet të veprojnë në kundërshtim me të, pavarësisht statusit të tyre si Super Lex Specialis,” shkruan Kryeziu.
Ai nënvizon se bashkëpunimi me autoritetet e Serbisë – një shtet që refuzon të njohë Kosovën – është i paligjshëm pa pëlqimin paraprak të Qeverisë së Kosovës, siç kërkohet nga pika 5 e nenit 162 të Kushtetutës. Duke marrë shembull marrëveshjen e vitit 2019 mes BE-së dhe Serbisë, Kryeziu thekson se Serbia ka aranzhuar bashkëpunimin përmes kësaj marrëveshjeje, duke anashkaluar Kosovën si shtet sovran.
“Nëse Dhomat paskan autoritet të pakufizuar, pse ekziston pika 5 e nenit 162?” pyet ai, duke i ftuar publikisht katër kryeministrat e fundit të Kosovës – Isa Mustafa, Ramush Haradinaj, Avdullah Hoti dhe Albin Kurti – të deklarojnë nëse ndonjëri prej tyre ka dhënë ndonjë pëlqim për një bashkëpunim të tillë.
Kryeziu gjithashtu përkrah deklaratat e ministres në detyrë të Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e cila kritikoi pranimin e provave nga Serbia si të njëanshme dhe me interesa politike. Por ai shkon përtej aspektit proceduror, duke e cilësuar të gjithë procesin si të paligjshëm dhe antikushtetues.
Ai thekson se ka qenë përkrahës i themelimit të Dhomave të Specializuara, por se përkrahja për drejtësinë nuk duhet të keqpërdoret për të shkelur sovranitetin dhe Kushtetutën e Kosovës.
“Nëse Dhomat nuk përjashtojnë provat nga Serbia, Republika e Kosovës duhet t’i shpallë ato si kundërkushtetuese dhe të ndërpresë çfarëdo bashkëpunimi me to,” deklaron ai.
Në fund, Kryeziu konfirmon pjesëmarrjen e tij në protestën e 7 gushtit kundër veprimeve të Dhomave të Specializuara, duke e përmbyllur reagimin me një mesazh të qartë: “Enough is enough.” /Kosova.info/
