KOK-u diskuton me Federatën Evropiane të Badmintonit për avancimin e këtij sporti në Kosovë

Drejtuesit e Komitetit Olimpik të Kosovës (KOK), përkatësisht presidenti Ismet Krasniqi, sekretari i përgjithshëm Besim Aliti dhe nënpresidenti Milaim Kelmendi, kanë zhvilluar një takim të rëndësishëm me presidentin e Federatës Evropiane të Badmintonit, Sven Serre. Ky i fundit ishte i shoqëruar nga përfaqësues të Federatës së Badmintonit të Kosovës, të kryesuar nga kryetari Lulzim Haziri.

Gjatë këtij takimi u diskutua për zgjerimin e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve sportive, me fokus të veçantë në përkrahjen për zhvillimin dhe avancimin e badmintonit në Kosovë. Palët u përqendruan në aspektet sportive, organizative dhe edukative të këtij sporti, duke synuar rritjen e kapaciteteve dhe përfshirjen e më të rinjve në aktivitete ndërkombëtare.

KOK-u dhe Federata Evropiane e Badmintonit u zotuan për thellimin e bashkëpunimit duke hapur rrugën për projekte të përbashkëta që do të ndihmojnë në promovimin dhe përparimin e badmintonit si sport në Kosovë. /Kosova.info/

Go to TOP