GAP: Rekord në transparencën buxhetore komunale në vitin 2024 – 9 komuna marrin pikët maksimale
Instituti GAP ka publikuar sot raportin “Indeksi i Transparencës Buxhetore të Komunave 2024” duke vlerësuar nivelin e hapjes dhe qasjes publike në dokumentet financiare të 38 komunave të Kosovës.
Sipas raportit, ky vit ka shënuar përparimin më të madh që prej fillimit të vlerësimeve sistematike në vitin 2017, me numrin më të lartë të komunave që kanë arritur pikët maksimale në indeks. Nëntë komuna – Kaçaniku, Klina, Lipjani, Mitrovica e Jugut, Prizreni, Rahoveci, Shtima, Skënderaj dhe Vushtrria – kanë marrë 100 pikët e mundshme. Ndërkohë, Drenasi, Hani i Elezit dhe Podujeva kanë shënuar rezultate të larta me nga 95 pikë, përkundër mungesës së një dokumenti në formatin e kërkuar.
Nga të gjitha komunat, 22 kanë kaluar mesataren prej 61 pikësh duke dëshmuar për një përmirësim të përgjithshëm në qasjen ndaj publikut. Gjatë vitit 2024, janë publikuar gjithsej 227 dokumente buxhetore në faqet zyrtare të komunave, përfshirë Kornizën Afatmesme Buxhetore (KAB), raportet financiare, rregulloret për subvencione dhe listat e përfituesve.
Raporti evidenton se 32 komuna kanë organizuar së paku 123 dëgjime publike, nga të cilat 28 komuna kanë mbajtur të paktën katër dëgjime. Ndërkohë, gjashtë komuna nuk kanë zhvilluar asnjë dëgjim buxhetor gjatë vitit 2024.
Dokumenti më pak i publikuar vazhdon të mbetet kartela analitike e kontos, e cila është publikuar nga vetëm 16 komuna në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe nga dy të tjera përmes kërkesave me email – një përmirësim krahasuar me vitin e kaluar.
Mitrovica e Veriut shënon progresin më të madh këtë vit, me një ngritje prej 46 pikësh dhe shtatë pozita më lart në renditje. Po ashtu, Vitia ka përmirësuar ndjeshëm performancën me 45 pikë më shumë se në vitin 2023. Në të kundërtën, disa komuna kanë shënuar rënie të konsiderueshme: Ferizaj (-47.5), Obiliqi dhe Malisheva (-25), Gjakova (-20) dhe Suhareka (-10).
Në fund të listës mbeten komunat e Zubin Potokut dhe Zveçanit, të cilat nuk kanë publikuar asnjë dokument buxhetor duke ruajtur statusin e komunave më jotransparente.
Instituti GAP thekson se, ndonëse raporti tregon për një përparim të rëndësishëm, ende mbetet e nevojshme standardizimi i publikimeve dhe forcimi i mekanizmave të llogaridhënies në nivel lokal. /Kosova.info/
