AUV lehtëson masat e importit nga Hungaria, mbetet ndalesa vetëm për dy rajone

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) e Kosovës ka marrë vendim për heqjen e ndalesës së importit të kafshëve të gjalla dy thundrake (gjedhe, dele, dhi dhe derra) dhe produkteve të tyre me origjinë nga shteti i Hungarisë, përjashtuar dy zona specifike.

Sipas vendimit të datës 25 korrik 2025, masa e kufizimit mbetet në fuqi vetëm për zonat administrative Kisbajecs dhe Gyor-Moson-Sopron, si masë e kujdesit të shtuar ndaj përhapjes së sëmundjes Afta Epizootike.

Ky ndryshim vjen në përputhje me Ligjin për Veterinarinë dhe në koordinim me njoftimet e organizatave evropiane të shëndetit të kafshëve mbi situatën epidemiologjike në Hungari duke reflektuar gjithashtu praktikat e vendeve të tjera të BE-së dhe rajonit.

AUV thekson se falë vendimeve të menjëhershme dhe bashkëpunimit të ngushtë me shtetet fqinje, Kosova ka arritur ta kalojë me sukses situatën, pa asnjë rast të regjistruar apo të dyshuar për këtë sëmundje.

“Jemi të përkushtuar me angazhim të plotë për t’i dalë në ballë secilës situatë që cenon shëndetin veterinar në vend duke mbrojtur ekonominë e fermerëve dhe interesin ekonomik shtetëror,” thuhet në njoftim.

Me këtë vendim, lehtësohet qarkullimi i mallrave ndërmjet Kosovës dhe Hungarisë, gjithmonë në përputhje me protokollet veterinare dhe standardet ndërkombëtare të sigurisë. /Kosova.info/

Go to TOP