Cakolli: Fund i turpshëm i krizës – Kuvendi i Kosovës mbetet jofunksional pas 54 përpjekjesh
Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka reaguar ashpër pas dështimit për të konstituar Kuvendin e Kosovës edhe në përpjekjen e 54-të duke e cilësuar këtë si një përfundim të turpshëm të një krize të zvarritur me vetëdije.
Sipas tij, ky dështim shënon shkelje të obligimit kushtetues për konstituivin e Kuvendit brenda afatit 30-ditor, ndërsa përgjegjësinë kryesore politike ia atribuon subjektit që ka dalë i pari në zgjedhje, të cilit i takonte propozimi për kryetar Kuvendi.
“E drejta nuk mjafton kur mungon vullneti për konsensus dhe për ta çuar procesin përpara”, deklaroi Cakolli duke kritikuar ashpër mungesën e përgjegjësisë politike dhe refuzimin e kompromisit si vlerë demokratike.
Ai theksoi se vendi tashmë ndodhet në një situatë të paprecedentë, me një Kuvend jofunksional dhe jolegjitim, dhe një qeveri në detyrë të zgjedhur nga legjislatura e parafundit, anëtarët e së cilës nuk kanë as autoritet të plotë ligjor për të marrë vendime.
“Qytetarët nuk e kanë merituar një shtet në pauzë për shkak të llogarive të ngushta partiake”, përfundoi Cakolli. /Kosova.info/
