Cakolli kritikon seancën e mesnatës: A po kërkohet zgjidhje e vërtetë apo vetëm alibi politike?

Analisti Eugen Cakolli ka komentuar zhvillimet e fundit politike, duke vënë në pikëpyetje seriozitetin e mbajtjes së një seance të Kuvendit thuajse në mesnatë. Sipas tij, edhe pse kjo ndodhje është formalisht brenda afatit kushtetues, ajo nuk përcjell ndjesinë e një përpjekjeje të qëndrueshme dhe transparente për zgjidhjen e krizës.

“Seanca e gati-mesnatës, edhe pse brenda afatit kushtetues, vështirë se përcjell ndjesinë e seriozitetit apo të një zgjidhjeje të qëndrueshme,” ka thënë Cakolli.

Ai shtroi pyetjen pse nuk janë bërë më herët përpjekje të mirëfillta për të dalë nga bllokada, nëse urgjenca ishte me të vërtetë kaq evidente. “Përndryshe, a ka sinjale për ‘ardhjen e ndonjë vote’, apo thjesht po mbahet një seancë për të thënë nesër se gjithçka u provua?”, shtoi ai me ironi.

Në përfundim, Cakolli theksoi se në një situatë të tillë politike, çdo hap duhet të ndërtohet mbi transparencë dhe integritet. “Mbi të gjitha, legjitimiteti nuk matet vetëm me rezultatin, por edhe me gjithë rrugën që çon deri aty”, përmbylli ai. /Kosova.info/


Go to TOP