Baraliu: Parlamenti, në pikën e shpërbërjes

Përpjekja për të konstituuar Kuvendin e Republikës së Kosovës ka dështuar për herë të 52-të, duke thelluar krizën institucionale në vend. Mazllum Baraliu, njohës i zhvillimeve politike, në një intervistë për emisionin “Info Plus” në RTK, ka komentuar ashpër situatën, duke e cilësuar atë si një “veprim pas veprimi zhgënjyes, të mëkatshëm, të pandershëm e të turpshëm, por mbi të gjitha të rrezikshëm në përmasa të paparashikuara”.

Sipas tij, Kuvendi është në gjendje zhbërjeje për shkak të veprimeve të udhëheqësve politikë, të cilët ai i akuzon për kokëfortësi, injorancë dhe egoizëm të thellë.  Baraliu shtoi se suspendimi i Kuvendit si masë e përkohshme nga Gjykata Kushtetuese nënkupton jo vetëm pezullim, por edhe inegzistencë faktike të këtij institucioni.

“Këta njerëz me inat dhe neglizhencë kanë sjellë Parlamentin në pikën e shpërbërjes. Egoja e sëmurë personale e disa individëve, apo të të gjithëve, po e shkatërron sistemin demokratik”, u shpreh Baraliu.

Ai theksoi gjithashtu se as institucionet më të larta kushtetuese nuk po kanë më efekt, dhe se partitë politike po veprojnë shpeshherë jashtë kornizës së demokracisë, për qëllime të pushtetit e jo të shtetit.

“Këta njerëz kanë humbur besimin e qytetarëve, por edhe orientimin në kohë dhe hapësirë. Veprimet që po ndodhin sot janë të paimagjinueshme për një demokraci funksionale dhe të papranueshme për një shtet të së drejtës”, pohoi ai

Baraliu paralajmëroi se pas përfundimit të afatit 30-ditor për zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese, Kosova do të hyjë në një “zonë gri” pa balancë politike dhe institucionale, në një “labirint të panjohur”.

“Do të jetë një hapësirë pa substancë, pa përmbajtje dhe pa gravitet politik, një zonë e rrezikshme për të ardhmen demokratike të vendit”.


Go to TOP